
Tirana – Erzeni do të jetë finalja e Kupës së Pavarësisë në volejboll për meshkuj. Ky ishte verdikti i gjysmëfinaleve, që janë luajtur në Prishtinë në Palestrën Sportive Lagja “Marigona Rezidencë”. Për Tiranën e Arben Sakos ka qenë një fitore shumë e lehtë përballë Dritës së Gjilanit në një hark kohor prej gati 1 orë e 10 minuta. Dy setet e para bardheblutë i kanë fituar 25-18. Më pas në të tretin janë lëshuar si “pa frena”, sepse kanë fituar 25-11 dhe krejt ndeshjen 3-0.
Në këtë nivel e ka nisur dhe Erzeni i Parid Uruçit ndaj Ferizajt, ndonëse kundërshtari i shijakasve ka bërë më shumë rezistencë. 25-23 seti i parë për Erzenin. 25-22 i dyti po për shijakasit. Dhe atëherë kur pritej të kishte një fitore 3-0 për Erzenin, Ferizaj ka marrë setin e tretë 25-21. Por në të katërtin nuk ka më histori, sepse Erzeni ka fituar 25-19 dhe krejt ndeshjen 3-1.
Tirana – Erzeni që do të luhet të dielën në ora 13:00 dhe M.Teknolozhie – Drita e Gjilanit, kjo për femra, e cila do të zhvillohet në ora 15:30 do të vijnë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar dhe Radio Televizionin e Kosovës, ndërsa Kupa e Pavarësisë në volejboll pritet të njohë fituesit për vitin 2021.




Add comment
Comments